Milani vazhdon avazin edhe me Gatuzon, i jep kënaqësinë historike Beneventos

Është shumë e vështirë të ndryshosh shpejt një skuadër. E provoi edhe njeriu me karakterin e fortë, Xhenaro Gatuzo, që sapo ka zëvendësuar në stolin e Milanit, ish-trajnerin Vinçenco Montela. Skuadra e madhe e Italisë dhe e Europës nuk ia doli të fitonte në fushën e Beneventos, duke i dhënë vetes rekordin aspak të lavdishëm, si ekipi i parë që la pikë përballë debutueses së Serisë A. Deri para kësaj ndeshjeje, Benevento kishte pësuar 14 humbje radhazi.

Përfundoi 2-2 përballja shumë e fortë, dhe me momente të dyshimta, në të cilën mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ishte në formacion dhe luajti deri në fund. Milani kaloi dy herë radhazi në epërsi, duke qenë padyshim skuadra më e mirë në fushë. Xhakomo Bonaventura dhe sulmuesi kroat, Nikola Kaliniç, ishin autorët e golave për lombardët, por që nuk mundën ta ruanin fitoren.

Xheorxhe Pushkash arriti barazimin e parë për Beneventon, me rumunin që pati një kënaqësi të madhe sepse është i huazuar nga Interi. Derisa të vinte barazimi i dytë, u desh që Milani të merrte një karton të kuq shumë të diskutueshëm. Romanjoli u përjashtua nga gjyqtari me kartonin e dytë të verdhë për një ndërhyrje që nuk u duk thuajse as e gabuar, jo më për t’u ndëshkuar në atë mënyrë. Fundi ishte një përrallë e vërtetë për Beneventonm, pasi pikërisht në minutën e 95-të, erdhi rrjeta historike që pati veçantinë se u shënua nga portieri Alberto Brinjoli.

Sfidanti.al