Jo krenari e madhe për Lushnjen, por Partizani është rikthyer me Starovën!

Kundërshtari ishte betuar për ta ndalur dhe terreni ishte i keq. Asgjë nuk e ndali, sidoqoftë, Partizanin për të vazhduar kthesën në Superligën shqiptare dhe për të synuar të paktën Europën. Në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjes, kryeqytetasit triumfuan 3-0, përkundër reshjeve të shiut dhe nevojë për pikë të vendasve që janë kandidatët e parë për të rënë nga kategoria.

Sidoqoftë, të besuarit e trajnerit Sulejman Starova u detyruan të bënin durim, pasi Lushnja e mbajti portën të paprekur në pjesën e parë. Jo vetëm kaq, por skuadra e trajnerit Hysen Dedja pati edhe shans për të kaluar e para në avantazh.

Menjëherë pas pushimit, gjithçka ndryshoi dhe Partizani ushtroi presion, i vendosur për të fituar. Logjikshëm erdhën golat e shënuar radhazi, brenda 22 minutave. Kapiteni Batha kaloi kryeqytetasit në epërsi kur kishte kaluar një orë lojë, ndërsa pastaj shënuan edhe Progni e Trashi. Starova dukshëm e ka përmirësuar skuadrën, që tani arrin të shënojë gola, edhe pse sërish munguan sulmuesit kryesorë, Sukaj e Çani.

Partizani ka tani golaverazh pozitiv, me 10 rrjeta të shënuara e 9 të pësuara, ndërsa zona e Europës është vetëm 4-5 pikë larg. Kur mbeten për t’u luajtur edhe 23 ndeshje, janë të gjitha mundësitë që të kuqtë të shpëtojnë sezonin, edhe pse nuk mund të arrihet maksimumi. Pavarësisht, zotësisë së Starovës dhe ambicies së klubit 15 herë kampion të vendit, Skënderbeu praktikisht është i pakapshëm në krye të Superligës.

Sfidanti.al