Edhe një Superfuqi mund të humbasë, por është e rëndë kur ndodh ndaj një debutuese. Një përrallë si e 1001 netëve apo një histori si e Davidit ndaj Goliadhit ndodhi në Francë dhe për tëp o flet gjithë Europa.
I ndodhi kështu të plotfuqishmit Paris SG, të mposhtur në fushën e Strasburgut në Ligën e Parë franceze. Trajneri Unai Emeri u mërzit jo pak nga humbja e parë e sezonit, edhe pse ajo nuk është se i prishi shumë punë në kampionat, me kryeqytetasit sërish të shkëputur ndjeshëm nga ndjekësit Marsejë, Lion e Monako.
“Është e vërtetë që nuk jemi aspak të lumtur me humbjen, – tha ai, – Mendoj se ne meritonim që të fitonim, por në futboll është e vështirë të fitosh gjithnjë. Ne duam që të luajmë mirë në çdo ndeshje dhe të arrijmë fitoren, dhe besoj se skuadra meritonte fat më të mirë pasi patëm shumë raste për gol, dhe e kontrolluam lojën. Kundërshtari pati vetëm dy mundësi dhe shënoi dy herë. Jemi vërtet të mërzitur, por nuk ishte dita jonë”.
Trajneri spanjoll ishte krejtësisht i saktë. Dominimi i PSG-së ishte total dhe padyshim që duhej të kishte shënuar disa gola. Nuk mund të ndodhte ndryshe kur në fushë ishin Nejmar, Mbape, Di Maria, Draksler, Pastore, Dani Alvesh apo Rabio. Gjithsesi, Emeri pati arsye për t’u shqetësuar.
Disa herë lojtarët e tij u treguan egoistë, ndodhi që nuk patën vullnetin e duhur për të shënuar golin, ndërsa minusi më i madh ishte Nejmar, jo aq shumë i angazhuar në këtë ndeshje, si herët e tjera. Mos vallë, vërtet braziliani po mendon për t’u larguar nga Parisi?
Strasburgu falenderoi fatin që pati, por u tregua cinik në shanset e tij. Dy raste, dy gola ndaj njërës prej mbrojtjeve më të forta të Europës. Mos ndoshta ndikuan mungesa e kapitenit Tiago Silva në fazën difensive dhe e Edinson Kavanit në sulm? Për një skuadër të ndërtuar me qindra milionë euro shpenzime, ky do të ishte thjesht një justifikim, por mund të thuhet që në futboll mund të humbasësh edhe kështu.
Tashmë, vëmendje duhet zhvendosur në Europë, pasi nëse të mund Straburgu, çfarë mund të ndodhë ndaj Realit, Barcelonës, Mançester Sitit apo Bajernit? E thotë Havier Pastore, i cili flet në vend të yjeve.
“Humbëm sepse nuk u treguam të vëmendshëm në dy shanset që pati kundërshtari, – tha ai, – E rëndësishme tani është të kuptojmë gabimet që bëmë, në mënyrë që të nxjerrim mësime për ndeshjet e ardhshme. Kemi një përballje të madhe në Champions n daj Bajernit dhe synojmë të fitojmë, edhe pse luajmë në Mynih”. Paris SG kishte humbur për herë të fundit ndaj një ekipi debutues, në mars të vitit 2013.
Sfidanti.al