Grumbullimi i Spanjës, Pike u ndje si në shtëpinë e armikut!

Nuk besohet të jetë ndjerë mirë Gerard Pike kur ka dalë në fushën e kompleksit “Las Rozas”, me fanelën e kombëtares së Spanjës. Mbrojtësi i Barcelonës, ndër nxitësit kryesorë për referendumin për pavarësi të Katalonjës, nuk u prit mirë nga shumica e tifozëve në kompleksin që ndodhet jo larg Madridit. Në zemër të Kastilies, Pike e priste një gjë të tillë, ndonëse vërshëllimat, thirrjet apo parullat e bëjnë efektin e keq, edhe kur je i përgatitur.

Me siguri, trysnia dhe shqetësimi psiqik do të kenë qenë të mëdha, siç duket edhe në vështrimin e tij (në foto), aq sa mezi pret të përfundojë detyrimin me përfaqësuesen dhe të kthehet në shtëpi. Pikesë, padyshim, i është dukur vetja si në shtëpinë e armikut, në mes të njerëzve që janë zemëruar me të sepse përpiqet të ndryshojë Spanjën që ata njohin, shtetin unitar me shumë krahina autonome, të cilat mund të nisin të largohen njëra pas tjetrës. Gjithsesi, një karakter si Pike vështirë të përkulet nga ambient armiqësor, edhe pse loja e tij për Spanjën mund ta ndjejë.

Sfidanti.al