Këshillat e vyera të Sakit për Berluskonin: Merri këta, do jesh 25 vjet para të tjerëve!

Mauricio Sarri mundej të ishte bërë trajner i Milanit, dhe jo i Napolit, nëse presidenti Silvio Berluskoni do të dëgjonte këshillën e një miku. Ky mik ishte Arrigo Saki, trajneri i parë i madh i Milanit të “Kalorësit”, njeriu që ndryshoi futbollin në Itali. “E këshillova Berluskonin për Sarrin, – thotë Saki, – i thashë se nëse do ta merrte, do të ishte 25 vjet përpara të tjerëve, siç bëri me mua. U tregua i pavendosur, pastaj u pendua”. Saki i paska thënë Berluskonit edhe për “një farë” Paulo Dibala, të cilin ai e quan lojtar shumë të madh dhe shumë inteligjent.

Duke u kthyer tek aktualiteti i Milanit, ish-trajneri nuk ka dëshirë të flasë shumë, thekson respektin për trajnerin (Montela), por edhe thotë se nuk ka parë kurrë një klub të madh që të ndryshojë 11 lojtarë gjatë një sezoni të vetëm. Po çfarë bëhet me Karlo Ançelotin? “Nuk e prisja nga Bajerni, pasi e quaja ndryshe nga klubet e tjerë, por qenkam gabuar, – u shpreh Arrigo, – Ançeloti ka fituar kudo, luan futboll pozitiv dhe mund të bëhet trajner kudo, edhe tek Milani, apo tek Italia”.

Sfidanti.al