Ata ishin pesë! Si një titull filmi apo romanesh, edhe historia e largimit të Karlo Ançelotit nga Bajerni. Nga goja e presidentit Hënes dolën fjalët se pikërisht 5 futbollistë nuk e deshën trajnerin, ndërsa spekullimet janë se mes tyre ishte edhe Mats Humels. Mbrojtësi kampion i botës me Gjermaninë ka reaguar menjëherë dhe ashpër, duke u shfaqur i zemëruar. “Më thonë se kam ndikuar në shkarkimin e Ançelotit, se kam qenë i pakënaqur sepse nuk luajta në Paris, – tha ai, – unë nuk kisha mundësi të ndikoja pasi nuk luajta. Nuk më pëlqen kjo histori. Thjesht, unë nuk bëj gjëra të tilla”.
Gjithsesi, ky është varianti i Humelsit, i cili mund të mos jetë e vërteta. Hënes kishte informacion që foli, ndryshe nuk do ta thoshte për të krijuar probleme tek Bajerni. Humels, ashtu si disa të tjerë, mund të ndikonin fare mirë kundër trajnerit edhe duke mos luajtur, duke krijuar klane në skuadër, duke prishur atmosferën, aq sa bavarezët ta kishin të vështirë. Sidomos kur luan ndaj një skuadre si Parisi. Ishte hera e parë që Ançeloti u shkarkua gjatë sezonit në karrierë, por ishte edhe hera e parë që Humels jetoi një ndryshim trajneri gjatë sezonit. Nuk i kishte ndodhur as tek Dortmundi, dhe as tek Bajerni.
Sfidanti.al