Ju kujtohen fjalët e trajnerit Starova fill pas humbjes me Lukesburgun: “ Tradhti ndaj De Biazit se nuk e shkarkojnë dot”. Midis gjithë atyre që u përpoqën të gjenin sebepin për humbjen e radhës, fjalët e Sulejmanit tingëlluan të vërteta, por më shumë se aq.. të hidhura. Ndaj edhe “qokatarët kuqezi” u shfaqën me radhë, për ta kamufluar edhe një herë publikun e vet se zhgënjimi nuk lidhet me tradhëtimin e De Biazit, as me ndonjë hile tjetër që shpesh na kurdisin “shqiponjat”, porse fajin e ka “dasma e Europianit”,sepse pija paska qenë shumë e fortë sa nuk del dot nga koka edhe kur lidhet me peshqir…
Kapiteni Agolli, i detyruar më shumë nga shiriti sesa nga ndërgjegja, provoi një ngushëllim ta pavend pas humbjes faqezezë me Luksemburgun: “ Mos e dramatizoni kaq shumë se janë humbje që vijnë nga vetkënaqësia. Po ne.. kur mundëm Francën?”. Ky shpjegimi i Hansit edhe pse nuk eshte bindes per te gjithe, jep efektin e duhur tek ata qe e shijojne Europianin me stilin e historise lodhese te dardaneleve.. Edhe ish-kapiteni Cana, kur u pyet për stilin e çnderuar me Luksemburgun, ka befasuar më shumë me finten edhe pse jashte fushe: “ Nuk është momenti të flasim për të tilla gjëra. Një pyetje tjetër…”
Atehere, le të vrasim mëndjen për të gjetur një pyetje- sheqerkë në prag të ndeshjes me Izraelin, ku “heronjtë” e fushës janë betuar se këtë herë do t’i binden De Biazit, se nuk do të arratisen në skutat e fushës për të flirtuar me humbjen, nuk do te sajojne gafa vetvrasese si ne Elbasan Arena . Si në ndeshjen e famekeqe, ku ia dorëzuam topin dhe lojën kundërshtarit , ndërsa humbjen nuk e mbajtën te zotët e lojes, por ia dhuruan …policisë. Këtë herë do të jetë krejt ndryshe, te pakten keshtu besohet nga disa kur mendojne se kuqezinjte do te prekin per 90 minuta ne Tokwn e Shenjtë dhe nuk mund t’i lejojne vetes një tjeter sjellje të pahijshme, që vret me shume besimin sesa porten tone.
Sfidanti.al