Novak Gjokoviçi vendosi që t’i refuzojë shërbimet e trajnerit të tij të porsacaktuar, Andre Agasi, në javën e dytë të turneut “Rolan Garos” dhe ky doli se ishte një vendim mjaft i gabuar i tenistit serb, pasi ai pësoi një humbje të rëndë, në çerekfinale, nga tenisti i ri austriak, Dominik Tim, që e mundi “pastër” 7-6, 6-3, 6-0 Gjokoviçin, “duke e rrëzuar atë nga froni”, pasi, vitin e kaluar, ky tenist i njohur serb, për herë të parë në karrierën e tij, fitoi Grand Slemin e Parisit (Rolan Garos). Tani, kjo humbje, për herë të parë që nga viti 2011, do të thotë se ka shumë mundësi që Novaku të bjerë poshtë vendit të dytë në ranglistën botërore të ATP-së.
Një situatë e tillë e detyroi që të shprehte opinionin e tij edhe ish-tenisti i njohur Xhim Kurier që, rrallë herë, i bën komentet e tij në publik rreth asaj që ndodh në fushat e tenisit dhe rreth tyre. Ky ish-tenist legjendar e “drejtoi gishtin”, fare qartë, te, sikurse tha ai, “problemi më i madh” i Gjokoviçit, më saktë, te guruja (udhëheqësi shpirtëror) e tij, Pepe Imaz, duke fituar simpatinë edhe të vetë tifozëve serbë që nuk e duan aspak këtë këshilltar shpirtëror spanjoll të Noles (Novakut). “Me të vërtetë, përbën problem, kur një nga njerëzit që bën pjesë në ekipin tuaj, kujdeset vetëm për dashurinë dhe paqen, ndërkohë që ai ka më shumë se një vit pranë jush. Kjo nuk është ndonjë figurë, ku mund të mbështetesh, kur vihesh përballë probleme të mëdha dhe ato janë të tilla në këtë moment për Gjokoviçin”, vuri në dukje Kurieri.
Sfidanti.al