Në Elbasan u konsumua një tjetër ndeshje me polemika ku është sërish Flamurtari që si për rastësi ndjehet i vjedhur. Sulmet e presidentit Sinan Idrizi kundër FSHF-së dhe kupolës së “hekurt” duket se po i kushtojnë shumë skuadrës në fushë. Gjatë vitëve të fundit, vlonjatët janë ankuar shpeh herë për gjykimet “sakate” në dëm të tyre dhe i tillë sipas tyre ishte edhe ai i Laverit, jo bilbilit Bariu por Allës që po ashtu, si rastësisht, gjendet si shumë herë të tjera në fushat ku ka episode të dyshimta.
Një karton i kuq i mohuar dhe një gol i anuluar pa të drejtë, ky është pretendimi që kanë vlonjatët ku Eqerem Memushi ngriti zërin në fundin e ndeshjes por me shumë mundësi, bokset e zërit janë prishur në zyrat e shtëpisë së futbollit ku mund madje të hidhen në kundërsulm me ndonjë gjobë të majme në kurriz të klubit vlonjat. Askush nuk pretendon të marrë bilbilin e të vendosë drejtësi në një situatë të tillë, por a ka transparencë në të tilla sfida? Pse Flamurtari pretendon se bie përherë pre e vendimeve të gabuara? A duhet dikush të mendojë për t’u hedhur qoftë edhe një sy ankesave të vlonjatëve, apo kemi punë më të mëdha për të bërë në selinë e Nyonit ku po hedhim themelet e një mandati tjetër për Ceferin i cili gjithashtu me shumë mundësi do të na i kthejë nderin me nder?
Nga Pirro Bardhyli