“Dora e Zotit”  dhe “këmba e zotit” me ..Kombëtaren tonë!

“Dora e Zotit”  njihet në të gjithë botën, flitet për golin e famshëm të Maradonës ndaj Anglisë, ndërsa golat që po shënon Kombëtarja e Shqipërisë, me Silvinjon në stol, fshehin një magji sa mund të pagëzohen si  “ këmba e Zotit”. Sytë tanë, duke ndjekur Kombëtaren ndër vite, s’kishin parë një serial golash më spektakolarë..  si perlat e Bajramit, Asllanit dhe dy gola të Asanit.

Ky i fundit i Jasir Asanit ndaj Polonisë , me më të majtën e tij çudibërëse , ishte si një ..vetëtimë në qiell të pastër. Një gjest i madh teknik, në një fushë të keqe si ajo e “Air Albanias”.  Edhe vetë e pranoi se “nuk e pasova ngaqë fusha ishte shume e keqe!”  Madje me atë gol mund të krenohet edhe ai që e pësoi, portieri Shezni, sepse dukej sikur goditja erdhi nga një “botë tjetër”…

Do shkojmë apo nuk do të shkojmë në Europian? U dashkan edhe 5 pikë në 3 ndeshje. Sido që të jetë shkruar, “këmba e zotit” na jep shpresë, udhëtimi me Silvinjon mbart  një lloj magjie pasi veç golave që të heqin “perden e syrit” , na është bërë edhe VAR-i një aleat besnik. Sa kur pësojmë gol,  nuk kthejmë kokën nga porta, por nga..VAR-i…

Sfidanti.al