Reali fiton klasiken me Liverpulin, por skenën e “rrëmben” Napoli!

Skuadra italiane u tregua sërish e jashtëzakonshme dhe vazhdoi me rrugën e sukseseve në Champions. Napoli mposhti 3-0 një skuadër shumë serioze si Ajntrahti i Frankfurtit, fituese në fuqi e Ligës së Europës. Dy herë Viktor Osimheni dhe një herë me penallti Piotr Zielinski ishin autorët e golave, ndërsa gjermanët nuk e përballuan dot nivelin e kundërshtarëve. Napoli kishte fituar 2-0 edhe jashtë fushe, ndaj edhe kualifikimi për në çerekfinale ishte i mrekullueshëm. Skuadra e trajnerit Luçiano Spaleti pati 60 për qind zotërim topi, 12 gjuajtje ndaj 7 të miqve, ndërsa gjuajtjet në kuadrat ishin 8-1!

Ky sukses i napolitanëve bëri që të errësohej kualifikimi gjithashtu i shkëlqyer i Realit të Madridit që kapërceu një kundërshtar të fuqishëm si Liverpuli. Madrilenët triumfuan 1-0 në “Santiago Bernabeu” me gol të Karim Benzemasë në minutat e fundit (78’) duke merituar gjithçka. Spanjollët kishin fituar 5-2 edhe në Angli. Tashmë njihen të gjitha skuadrat çerekfinale të Championsit dhe këto janë: Reali i Madridit, Napoli, Bajerni i Mynihut, Mançester Siti, Çelsi, Milani, Interi dhe Benfika.

Sfidanti.al