Interi i thotë “lamtumirë” titullit, Bajrami asiston golin e Empolit!

Kjo skuadër është një habi e madhe, dhe ndoshta do të duhet ndonjë “këshill specialistësh” për ta zbërthyer ADN-në e saj. Interi dihej që më parë se ishte “i çmendur”, por kjo çoroditje (është fjala e duhur) këtë edicion po shfaqet pikërisht në ato ndeshje ku nuk e mendon askush. i ndodhi sërish ndaj Empolit në Serinë A, në “San Siro” duke humbur 0-1 e duke i thënë “lamtumirë” edhe atyre shpresave sado të pakta që i kishin mbetur për titullin.

Habia e madhe është se Interi është i fortë me të fortët, siç bëri me Napolin në kampionat dhe Milanin në Superkupë, dhe i shpërfytyruar me më të vegjlit si Monza, Parma, Verona dhe tani Empoli. Skuadra toskane ia doli në kryeqendrën e Lombardisë falë edhe një Nedim Bajrami që më në fund është kthyer në formën e tij të zakonshme. Mesfushori i kombëtares shqiptare shërbeu asistin për golin e vetëm të ndeshjes shënuar nga Baldanci, i cili shfrytëzoi edhe gabimin e portierit interist, Onana.

Nga ana tjetër, trajneri zikaltër, Inzagi, sërish nuk i besoi si titullar Kristjan Asllanit duke e hedhur në fushë vetëm në 72’ në vend të Barelës tepër të nervozuar. “Vulën” kësaj ndeshjeje ia vuri përjashtimi i kapitenit të Interit, Milan Shkriniar që në 40’, duke i prishur shumë punë skuadrës. Interi ka 37 pikë në 19 ndeshje, ndërsa Milani “falenderon” me 38 pikë në 18 ndeshje, e Napoli është duke fluturuar drejt titullit me 50 pikë në 19 ndeshje.

Sfidanti.al