Tirana i përgjigjet Vllaznisë e Balës me Kristal Abazajn!

E ka provuar fatin në Shqipëri dhe jashtë saj. Kristal Abazaj është diskutuar shpesh si një nga talentet më të mirë të futbollit tonë vitet e fundit, dhe fati e solli që të veshë fanelën e Tiranës për të fituar titullin kampion. Abazaj u prezantua me një video në faqen zyrtare të klubit bardheblu në FB, ndërsa pritet të luajë me kampionët në fazën e dytë të këtij sezoni. Objektivi është që të mbrohet titulli i fituar vjet, ndërsa Tirana pati nevojë për përforcime pasi i janë larguar disa lojtarë e pritet të largohet edhe golshënuesi i dalluar, Redon Xhixha. Abazaj, 26 vjeç, ka luajtur më parë në Shqipëri për Luftëtarin e Kukësin duke spikatur si autor golash. Sulmuesi i lindur në Elbasan luajti në Ligën e Parë të Kroacisë,  dhe në Belgjikë, e po ashtu në Turqi, në të dy nivelet. Këtë sezon ai ishte pjesë e skuadrës Istanbulspor në Superligën turke, e ndoshta mund të kthehet sërish edicionin e ardhshëm. Tirana u ngjit në krye të Superligës pas fitores 4-1 ndaj Bylisit javën e fundit, por konkurrenca për titullin mbetet shumë e fortë. Partizani është vetëm 1 pikë prapa, dhe Vllaznia gjithashtu pretendon, ndaj bardheblutë do të kenë nevojë për golat e Kristaj Abazajt.

Sfidanti.al