Mungon Duranti? Pa problem sepse për Bruklinin mendon Kajri Irvingu!

Kapiteni mungoi, por kjo nuk e pengoi suksesin. Bruklin Netsat arritën një fitore tepër të rëndësishme dhe domethënëse në fushën e Golden Stejtit, duke përballuar dëmtimin e Kevin Durantit. Në vend të tij, ekipin e mori për dore Kajri Irvingu, duke e dërguar drejt triumfit 120-116 ndaj jo një rivali dosido, por ndaj kampionëve në fuqi të basketbollit amerikan. Ylli, që pati probleme sezonet e kaluara për shkak se nuk deshi të vaksinohej, tregoi se mbetet ndër më të mirët. Irvingu 30-vjeçar shënoi 38 pikë, si dhe shtoi 7 topa në tabela e 9 asistë, duke pasur saktësi të lartë në gjuajtje. Ai realizoi 5 nga 7 gjuajtjet për tri pikë, dhe që të 9 personalet.

Mjaft i dalluar edhe Nik Klakston me 24 pikë dhe plot 15 topa në tabela. Edhe Golden Stejti nuk është se mbeti prapa, por e tillë është NBA-ja, kushdo mund të fitojë ndaj kujtdo. Stef Kërri ishte më i miri për kampionët me 26 pikë, 6 topa në tabela e 7 asistë, por Tompson e Grin nuk mundën ta tregonin veten plotësisht. Me këtë fitore, Bruklini mbërriti Miluokin e vendit të katërt në Konferencën Lindore, dhe është shumë pranë vendit të dytë., ndërsa Golden Stejti është tepër larg shkëlqimit të vjetshëm, në vend të 10-të në Perëndim.

Sfidanti.al