Sulmi nuk ka Manajn, Vrionin dhe (thuajse) Uzunin, por Sadiku e Muçi nuk thirren në kombëtare!

Me sulmin këto kohë kemi qenë mirë, pavarësisht rezultateve. Kombëtarja shqiptare ka pasur mjaft alternativa si Broja, Uzuni, Cikalleshi apo Manaj, ndonëse në prag të ndeshjes ndaj Izraelit reparti ofensiv ka disa probleme. Me Manajn e dëmtuar, dhe me Cikalleshin dhe Vrionin që kanë ndërruar skuadër, trajneri Edi Reja ka më pak mundësi për zgjedhje, por gjithsesi ai nuk ka preferuar të marrë sulmues të tjerë. Ernest Muçi, edhe pse u tha se mund të grumbullohej në ekip, nuk u thirr me pretendimin se ishte i dëmtuar. Gjithsesi, ditën e djeshme, sulmuesi 21-vjeçar luajti dhe shënoi gol në një ndeshje përgatitore të ekipit të tij, Legias së Varshavës. Muçi ka luajtur 10 ndeshje këtë sezon për Legian duke shënuar 2 gola e duke shërbyer 3 asiste. Ish-sulmuesi i Tiranës nuk ka qenë shumë i preferuar nga trajneri Reja sepse ka luajtur vetëm rreth gjysmë ore ndaj Andorrës në eliminatoret e Botërorit, pra në vetëm një ndeshje.

Po ashtu nuk është përfillur një sulmues me përvojë dhe në formë si Armando Sadiku. Futbollisti 31-vjeçar ka shënuar dy gola këtë sezon në ligën e dytë të Spanjës, aty ku luan edhe Uzuni, duke treguar se nuk e ka humbur aftësinë përpara portës. Gjithsesi, as Sadiku nuk është preferuar, ndërsa sulmuesi më në formë në kombëtare, Myrto Uzuni mbetet në dyshim për Izraelin për shkak të një dëmtimi. Uzuni ka realizuar 6 herë këtë edicion në Spanjë dhe është golshënuesi më i mirë i kampionatit.

Sfidanti.al