Nëse flasim për futboll, Madridi arriti një fitore të vështirë në derbi, ndërsa bardhekuqtë luftuan shumë dhe mund të kishte merituar të paktën barazimin. Kampionët përballuan mungesën e Benzemasë së dëmtuar falë talentit të Vinisiusit, Rodrigos, Modriçit, Krosit, Valverdes apo Çuamenit. “Përgëzoj ekipin tim për lojën që zhvilloi, – tha trajneri i Atletikos, Simeone, – nuk u dorëzuam kurrë përpara një Reali që di të mbrohet mirë si një trup i vetëm, që kundërsulmon me shpejtësi të rrufeshme dhe që ka kaq lojtarë me talent tepër madh. Ky Real më kujton Aletikon time dikur që e kritikonin. Meritonim barazimin”.
Trajneri i Realit, Karlo Ançeloti reagoi kështu për fjalët e kolegut. “Po, – pranoi italiani, – u mbrojtëm mirë në bllok dhe disi të tërhequr. Jemi mësuar kështu. Duhej të përballonim rrezikun e lojtarëve si Grizman apo Zhoao Feliks. Nëse Simeone thotë se u mbrojtëm mirë si një trup i vetëm, i them faleminderit. Është një kompliment”.
“Lind një lidhje e re, – shkruan “AS” e Madridit, – Çuameni asiston, Rodrigo shënon! Si iu duk ndeshja e francezit dhe e brazilianit?” “Madridi vallëzon në “Metropolitano”, – komenton “Marka”, – golat e Rodrigos dhe Valverdes reflektuan epërsinë e kampionëve!” Reali kryeson La Ligën me 18 pikë të plota pas 6 javësh, ndërsa Barcelona e ndjek me 16.
Sfidanti.al