Broja dhe Mehmeti shkëlqejnë në Angli, Muçi në Poloni, por Hysaj shqetëson në Itali!

 

Ishte ndeshja e parë pas rinovimit dhe një shenjë e la. Armando Broja nuk ishte titullar në sfidën tepër të vështirë të Çelsit ndaj Uest Hemit në Premier Ligën angleze, por gjithsesi trajneri Tuhel e aktivizoi pas pushimit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare hyri ndërsa të mbiquajturit “çekiçët” po kryesonin në “Stemford Brixh”, dhe prania e tij në fushë ndikoi për mirë. Pasi Çiluell barazoi rezultatin, Broja ishte ai që nisi aksionin e golit të avantazhit, duke shërbyer pikërisht për Çiluellin, që dha asistin për sulmuesin gjerman Kai Haverc. Një kontribut i vlefshëm në lojën sulmuese dhe në presionin që Blutë ushtruan ndaj rivalëve derisa arritën fitoren.

Duke mbetur në Angli, por duke zbritur në Ligën e Parë, vlen të veçohet forma shumë e mirë e mesfushorit të Shqipërisë U21, Anis Mehmeti. Ai realizoi me klas për Uajkombin në ndeshjen e barazuar 1-1 në fushën e Trenmerit, ndërsa kjo ishte rrjeta e 4-ët e Mehmetit në 7 ndeshje. Në Superligën e Polonisë, Ernest Muçi ishte ndër lojtarët vendimtarë të Legias së Varshavës në fitoren minimale 1-0 në kryeqytet ndaj Radomiakut të Radomit. Muçi hyri në fushë në pjesën e dytë dhe shërbeu asistin për golin e vetëm të ndeshjes, shënuar nga Rafal Augustiniak, 7 minuta para fundit.

Në Itali, ndërkaq, Elseid Hysaj nuk luajti në ndeshjen që Lacio humbi në fushën e vet me Napolin. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare mbetet i dëmtuar dhe shqetësimi është ende i madh nëse mungesa do të jetë e gjatë, e mund ta mbajë jashtë ndeshjeve të kombëtares në Ligën e Kombeve. Në fushë titullar për Napolin ishte lojtari i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani.

Sfidanti.al