“Rrugëdalja” e Murinjos: Më mirë të humbësh 0-4 sesa katër herë nga 0-1!

Një tullumbace e madhe u shfry në Serinë A. Kjo ishte Roma e trajnerit portugez që pësoi një shpërfytyrim në fushën e Udinezes me shifrat 0-4. Dëmtime pati, por gjithsesi nuk pritej që kryeqytetasit ta pësonin në këtë mënyrë, duke u ridimensionuar sado pak në pretendimet të paktën për Championsin, ndonëse trajnerë si Kapelo, Saki e Ançeloti e kishin konsideruar ekipin e Murinjos edhe kandidat për titull. Nuk dihet nëse e cilësojnë sërish të tillë. Në një kampionat ku Milani, Interi, Juventusi, Napoli e Lacio bëjnë garë kush e kush të gabojë më shumë (Milani ka gabuar më pak, ashtu si edhe Napoli), ndoshta gafa e rëndë e Romës nuk do të ketë pasoja kaq të tmerrshme. Murinjo u përpoq menjëherë ta linte sa më shpejt prapa këtë kujtim. “Më mirë të humbasësh një herë 0-4 sesa katër herë nga 0-1, – tha ai, – preferoj më mirë të jetë kështu, edhe pse është e vështirë për tifozët dhe lojtarët. Jeta vazhdon dhe e ardhmja do të jetë një ndeshje tjetër. Nuk dua të flas për arbitrat sepse kemi humbur 0-4, por Mareska ishte profili i duhur për Udinezen”.

Sfidanti.al