Tashmë sezoni futbollistik ka përcaktuar gjithçka, fituesit e trofeve, ata që do të na përfaqësojnë në kupat e Europës, si dhe skuadrat që fituan të drejtën për të qenë në Superiore. Bylisi dhe Erzeni i Shijakut ka plotësuar dhjetëshen e elitës së futbollit shqiptar, ndërsa Egnatia i mbijetoi fazës play out. Dhe tani nuk teprohet pot ë thuhet, se futbolli ynë ka pësuar një transformim rrënjësor, kur një pjesë e mirë e historisë ekziston vetëm në kalendarët e kategorive inferior, madje e pashpresë për t’u rishfaqur në salonin e Superiores. Historia jonë është zbehur aq shumë, saqë tani pothuajse nuk duket fare me sy të lirë.
Dinamo u rrëzua një kategori më poshtë, duke marrë me vete edhe dhjetra trofetë e saj të dikurshëm dhe bashkë me të edhe Skënderbeu i përfaqësimeve tona në grupet e Europa League. Ndërkohë që do të gjejnë në Kategorinë e Parë emra dikur të mëdhenj, por që tashmë janë ambjentuar atje poshtë. Aty do të jetë Flamurtari, Besa, Lushnja, Apolonia, Tomori e të tjerë, ndërsa Elbasani sa mezi gjendet në hartën e futbollit. Të gjitha janë skuadra që përfaqësojnë qytetet më të rëndësishme të vendit, por që janë lënë pas dore, aq sa tani nuk kanë më skuadra dinjitoze, po u rënohet infrastruktura dhe nëse ky ritëm i frikshëm nuk ndalet, së shpejti do ta kemi të vështirë t’u kujtojmë edhe bëmat e dikurshme. Gjithsesi edhe ky mund të konsiderohet një lloj reformimi që ka nisur në mendjen e drejtuesve të futbollit tonë, për të cilët është shumë më e rëndësishme gara e zhurmshme, për të përvetësuar meritat e finales së Conference League, sesa histroria më shumë se 100 vjeçare, e grumbulluar e gjitha në raftet e kalbura të kategorive inferiore.