Hapin e parë e hodhi dhe ia doli me sukses. Sezoni i parë në huazim i Xhakomo Vrionit përfundoi me notën “10 me yll”, pasi sulmuesi i Juventusit fitoi Këpucën e Artë si shënuesi më i mirë i Bundesligës austriake me 19 gola, duke lënë pas Karim Adejemin shumë më të vlerësuar sesa ai, dhe që tani u shpërblye duke kaluar tek Dortmundi. Po Vrioni ku do të luajë sezonin tjetër? Vetë sulmuesi e ka të qartë dëshirën. “Objektivi im është që të kthehem tek Juventusi, – thotë ai për “Tutosportin” e Torinos, – tani ndihem më gati dhe më i pjekur. Të shohim se çfarë do të vendosin drejtuesit dhe agjenti im”. Sulmuesi 23-vjeçar do të donte të luante në krah të Dushan Vlahoviçit, të cilin e vlerëson shumë, por besohet se tek Juvja kanë plane të tjera. Me gjasë, drejtuesit nuk do ta mbajnë Vrionin në ekip për 2022-2023, por as nuk do t’ia shesin kartonin, pasi 4-5 milionë euro nuk janë ndonjë shumë për “të rënë në dashuri”. Mundësia më e madhe është që ylli kuqezi të jepet hua sërish, këtë herë në Serinë A për të fituar përvojë direkte në futbollin italian e pastaj për t’u kthyer tek Juventusi.
Sfidanti.al