Bayern Munchen, Neuer pranoi ulje page

Portieri legjendar, Manuel Neuer, është shumë pranë rinovimit të kontratës me Bayernin deri në vitin 2027. Sipas raportimeve të Sky Sport, palët kanë arritur tashmë marrëveshjen totale dhe firmosja zyrtare pritet të ndodhë përpara ndeshjes së fundit në shtëpi të sezonit ndaj Kölnit.

Për të vazhduar aventurën me gjigantin bavarez, Neuer ka pranuar edhe një ulje të ndjeshme të pagës. Aktualisht, gardiani 40-vjeçar përfiton rreth 20 milionë euro bruto në vit, por kontrata e re do të ketë kushte më të reduktuara financiare. Pak ditë më parë, para sfidës së kthimit në Ligën e Kampioneve ndaj Real Madridit, veterani gjerman kishte folur edhe për të ardhmen e tij.

“Nuk besoj se do të duhet shumë kohë për të marrë guximin dhe për të vendosur. Më pas, sigurisht, do të ketë bisedime me klubin”, deklaronte Neuer. Portieri iu bashkua Bayernit në sezonin 2011/12, pasi u transferua nga Schalke 04. Që prej atëherë ai është kthyer në një nga figurat më të rëndësishme në historinë e klubit gjerman.

Ndërkohë, bavarezët po planifikojnë edhe të ardhmen e repartit të portës. Jonas Urbig do të mbetet zëvendësuesi i dytë dhe pritet të marrë më shumë minuta sezonin e ardhshëm, ndërsa Sven Ulreich gjithashtu pritet të vazhdojë me kampionët e Gjermanisë. Talenti i ri Leonard Prescott mund të huazohet për të fituar më shumë eksperiencë.

sfidanti.al