Nëse populli i derbit do të dëgjonte më mirë nga veshët, të paktën ky që do të luhet sot në “Selman Stërmasi”, Partizani- Tirana, po thërret “ndihmë” dhe britma nuk mbërrin tek të gjithë. Duket si lajm i rremë, por është tepër i vërtetë për ta besuar .. vetëm 3000 bileta janë shitur për atë që quhet ndeshja e jetës për futbollin e kryeqytetit. Shifrën tragjike e spiunojnë biletashitësit e stadiumit, ata që kur vinte derbi i ndezur ishin “gjeneralët”, ata që komandonin pjesëmarrjen në betejën e madhe, më armiqësore në planin sportiv. Pse janë tronditur themelet e Derbit? Apo më keq akoma, përse po e përgatisim për në funeral ? Nëse futbollin do ta krahasonim me një anije që rrezikon të mbytet ,ngaqë ka humbur busullën, dhe derbin do ta çmonim me kapitenin e anijes, që është i dënuar të mbytet i fundit, duket se ky ligj i pashkruar ka humbur magjinë. Partizani dhe Tirana, në ditët e pulsimit vullkanik, do ta përçmonin “Selman Stërmasin, sepse barku i tij do të quhej shumë i vogël për të mbajtur një ushtri tepër të madhe. Për fat të keq, do të na duket shumë i madh stadiumi, ngaqë do të jetë e madhe dhe braktisja.
Për Tiranën, skena do të jetë tejet sureale, kur vetë do të gjëndet në stadium përballë armikut më të madh që i ofron historia, ndërsa tifozët e saj më jetikë, fanatiksat, në shenjë proteste, do ta ndjekin ndeshjen në një” stadium virtual” tek Xhomllëku. Kurse Partizani, edhe pse duket shumë i favorizuar nga krisja e madhe bardheblu, është i dënuar të fitojë nga frika se basti i titullit pak nga pak po shndërrohet në një iluzion. Që jeta në derbi është fikur dhe do të përjetojmë ndeshjen e cila do ta mbajë frymën me oksigjen, këtë sikur e ndihmon edhe sjellja e dy trajnerëve, Starova dhe Josa, të cilët nuk flasin para ndeshjes. Starova e paska ters, Josa ka shumë presion, dhe askush nuk arrin ta kuptojë se nga vjen ky presion me një stadium të boshatisur. Pale kur e kemi reklamuar këto ditë si një derbi “britmë e historisë”, në fakt, britma që dëgjohet është për ndihmë , por ne jemi mësuar ta dëgjojmë ndryshe..
Sfidanti.al