Murinjo nuk mund të bëjë dot pa Pogbanë dhe Ibrahimoviçin!

Në një moment të tillë të sezonit, ngarkuar me ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare, çdo rëndim i kalendarit do të ishte thuajse fatal. Ky ishte edhe shqetësimi i Zhoze Murinjos, ndërsa Mançester Junajtid u duk se do të luante një tjetër sfidë ndaj Blekbërnit në Kupën e Anglisë. Rruga për në çerekfinale do të kalonte nga “Old Trafordi”, veçse me ngarkesën e madhe të përballjeve në Premier Ligë, Kupën e Ligës dhe Ligën e Europës, përveç kompeticionit më të vjetër në botë.

Kjo e detyroi trajnerin portugez që të prishte deri diku planet e tij për rotacionin e skuadrës. Pol Pogba dhe Zllatan Ibrahimoviç u hodhën në fushë në pjesën e dytë dhe shpenzuan energji të çmuara për të siguruar kualifikimin. Kjo vlen sidomos për Ibrën 35-vjeçar, “serbatori” i të cilit nuk është ai i disa viteve më parë. Ishte pikërisht suedezi që shënoi golin e fitores në 76’, pasi Blekbërni kishte kaluar në epërsi me anë të Dani Grahamit në 17’ dhe Junajtid kishte barazuar 10 minuta më pas me sulmuesin e ri, Markus Rashford.

Shkëlqimi i Zllatanit nuk ishte si ai i Harri Kejnit që shënoi të tre golat e Totenhemit në fushën e Fulhamit, por Ibra është i çmuar në çdo front. Murinjo është i kënaqur sidomos me mbrojtjen, pasi në gati 550 minuta lojë ekipi i tij ka pësuar vetëm 1 gol. Këtë mesjavë luhet Liga e Europës në Francë ndaj Sent Etienit dhe të dielën finalja e Kupës së Ligës në “Uembli” ndaj Sauthemptonit.

Sfidanti.al