Milani dhe Roma ndjekin nga afër situatën e Endrick

E ardhmja e sulmuesi brazilian Endrick  mund të jetë sërish në qendër të vëmendjes gjatë merkatos së janarit. Sipas portalit italian Calciomercato, Milani dhe Roma po monitorojnë situatën e sulmuesit brazilian, me të dy klubet që mund të tentojnë huazimin e tij nëse Real Madridi vendos ta largojë përkohësisht.

Interesi i Milanit për 20-vjeçarin nuk është i ri. Kuqezinjtë kishin zhvilluar kontakte edhe gjatë merkatos së verës për të shqyrtuar mundësinë e transferimit të tij, por negociatat nuk avancuan. Në atë periudhë, trajneri José Mourinho preferoi ta mbante Endrick-un në skuadrën e parë, pas rikthimit të brazilianit nga huazimi tek Olympique Lyon në pjesën e parë të vitit 2026.

Tani, situata mund të ndryshojë në varësi të vendimit që do të marrë Real Madridi për të ardhmen e sulmuesit. Nëse klubi spanjoll arrin në përfundimin se Endrick ka nevojë për më shumë minuta dhe hapësirë për të luajtur rregullisht, një huazim në janar mund të bëhet një opsion konkret. Milani e sheh brazilianin si një përforcim që mund të ofrojë alternativa në disa pozicione të repartit ofensiv, ndërsa Roma po e ndjek gjithashtu me vëmendje situatën. Gjithçka do të varet nga paraqitjet e Endrick në muajt e ardhshëm dhe nga roli që do t’i besohet tek Real Madridi. Nëse minutat në fushë mbeten të kufizuara, mundësia e një huazimi në merkaton e janarit mund të marrë gjithnjë e më shumë formë.