Alarm për pagat te Barcelona

Barcelona po përballet me një rritje të ndjeshme të faturës së pagave, e cila pritet të arrijë në 636 milionë euro gjatë këtij sezoni, duke barazuar rekordin e vendosur në sezonin 2019/20. Megjithatë, drejtuesit e klubit nuk e konsiderojnë këtë situatë si një alarm të menjëhershëm, pasi parametrat financiarë të Barcelonës janë aktualisht më të qëndrueshëm. Në sezonin 2019/20, shpenzimet për pagat përfaqësonin rreth 74% të të ardhurave, ndërsa sot kjo shifër është rreth 53% e të ardhurave totale të klubit. Zëvendëspresidenti ekonomik i Barcelonës, Ferran Olivé, ka shpjeguar se rritja e faturës së pagave lidhet kryesisht me politikën për të ruajtur dhe përmirësuar kushtet e një skuadre të re, përmes rinovimeve të kontratave.

Gjatë Asamblesë së fundit, drejtori sportiv Deco konfirmoi zyrtarisht rinovimet e Raphinhas, Xavi Espart dhe Marc Bernal, marrëveshje që ndikojnë edhe në strukturën e shpenzimeve të klubit. Barcelona, megjithatë, pret që rritja e të ardhurave në të ardhmen të ndihmojë në kompensimin e kostove më të larta të pagave. Në veçanti, drejtuesit katalanas kanë llogaritur tek shfrytëzimi i plotë komercial i ‘Spotify Camp Nou’ pas rikthimit në stadium, si edhe tek zgjerimi i aktivitetit të BLM (Barça Licensing & Merchandising).

Kështu, pavarësisht se shpenzimet për pagat kanë arritur sërish një nivel rekord, drejtuesit e klubit argumentojnë se raporti mes pagave dhe të ardhurave është sot më i favorshëm se në periudhën e rekordit të mëparshëm.