Do të jenë shpejt rekordmenë të vetëm dhe është normale pasi këto arritje gjithmonë janë për t’u tejkaluar. Gjithsesi, është diçka e madhe që Harri Kejn dhe koreanojugori Son barazuan rekordin e dyshes së dikurshme të Çelsit, të përbërë nga Didie Drogba dhe Frenk Lampard, me 36 gola të krijuar mes tyre në Premier Ligë. Kjo, kur Son harkoi për Kejnin në golin e dytë të Totenhemit ndaj Mançester Junajtidit. Harri Kejn ishte lojtari më i mirë në fushë, me dy gola për Totenhemin. “Ishte një ndeshje e çmendur, – tha sulmuesi, – luftuam fort gjatë gjithë kohës. Pësimi i golit në fund ishte tronditës, por duhet të përgëzoj djemtë që nuk u dorëzuan dhe kërkuan fitoren. Të kënaqur, që tifozët shkuan në shtëpi të lumtur këtë herë”.
Sfidanti.al