Pioli e ndjen se Milani nuk e sfidon dot Interin, edhe pa Europën

Favorin e ka, nëse mund të shprehet kështu, që nuk ngarkohet në sfidat kontinentale. Milani është i eleminuar edhe nga Championsi, edhe nga Liga e Europës, ndaj edhe përqëndrimi i vetëm është Seria A, padyshim edhe Kupa e Italisë. Kjo, ndryshe nga Interi që ende është i angazhuar në Ligën e Kampionëve, ndonëse duket se udhëtimi do të përfundojë në “Anfild” në 8 apo 9 mars. Edhe nëse një situatë të tillë, kuqezinjtë nuk po arrijnë dot të tejkalojnë ritmin e zikaltërve, madje mund të thuhet se në total kanë ritëm më të ulët.

Barazimi 2-2 në fushën e Salernitanës ishte një goditje e rëndë që trajneri Pioli e ndjen fort. “Një zhgënjim i madh, – pranoi ai, – na munguan shumë gjëra. Deshëm fitoren, por bëmë shumë gabime dhe mjaft nga lojtarët nuk janë në mbrëmjen më të mirë. Ishim shumë të nxituar, jo të pastër në veprime, edhe pse patëm hapësira për t’i shfrytëzuar”. Ndoshta ndihet mungesa e Ibrës? Pioli e hedh poshtë, edhe pse Leao, Tonali, Benaser apo të tjerët sikur kanë ende nevojë për nxitje. Duket se Milani i Piolit ende nuk është gati për të sfiduar Interin dhe për të qenë skuadra më e fortë e Italisë.

Sfidanti.al