Në djall kokat e futbollistëve që pikojnë gjak, rroftë klasifikimi ..drithërues.!

Kjo ishte seç ishte! Një zot e di se si mund të themi se kampionati u bë më i bukur në këto momente sapo Tirana humbi me Kastriotin dhe Laçi turpëron Kukësin me një treshe golash. E si mund të ndodh ndryshe, kur media e oborrit, ajo që trukohet si “Kasandra” që magazinon bëmat Superiore , e kishte gati kornizën për këtë javë “mrekullish të pastisura ”. Një javë që me gjuhën e horoskopit, shitet me shenjën e virgjëreshës, ku qershia mbi tortë nuk na qënka dhuna , por na qënka ngjeshja apo ngjethja në.. tabelën e pikëve!

Një kardio-tabelë- e quajnë komentatorët e gjorë, ata që përgjohen ethshëm nga çunat e sistemit. Si ta quash ndryshe, kur Laçit i dëgjohet frymëmarrja e “patronazhistit” pranë Tiranës, së cilës, siç duket, i firuan ditët e përkëdhelisë nga “djalli”. Këtë herë e provoi të plotë “trekëndëshin e Bermudës”: humbi ndeshjen, “djalli” vuri dorë mbi arbitrat, edhe më keq akoma, dhunë mbi kokën e futbollistëve, pasi u goditën dy futbollistë të secilit ekip me mjete të forta.

Dhe në një tokë të përgjakur, ku topin e shfryjnë dhe e përdorin si maskë, histerinë e dhunës e nxisin palët zyrtare: shteti dhe FSHF-ja me një luftë banaliteti, se kush e ka gjykatën më të pavarur, me shoqata që mbijnë nga dheu vetëm për votën,, me kërcënime për burgje , dhe pastaj, në këtë dekor të pasur dhune, , pse tifozët të mos marrin nishan kokat e futbollistëve. E dinë shumë mirë që fajin e kanë kokat sipër, por frika i bën të marrin nishan..poshtë!

Sfidanti.al