Dinamo ka humbur dhe Derbin me Partizanin dhe pas 90 minutave kemi dy lajme : një lajm të keq dhe një lajm të mirë. Cili është lajmi i keq? Dinamo e humbi edhe Derbin me Partizanin. Cili është lajmi i mirë? Dinamo nuk mblodhi shumë gola, por vetëm një ! Pas këtij 90 minutëshi, lind e drejta edhe për një pyetje disi provokuese: A mund të thuhet se Dinamo u kthye prapë në duart e të zotit? Ç‘është kjo pyetje, mund të habiteni. Por, pikërisht në ditët e mesjavës, presidenti i Dinamos, Bardhi, bëri një deklaratë tejet të fortë ,që sipas zakonit “demokratik” , u shoqërua me një heshtje edhe më të fortë.
Deklarata ishte topitëse: “ Tek Dinamo kanë futur hundët edhe të tjerë dhe ekipin ma kishin marrë. Vetëm unë jam presidenti i saj..”. Cilët ishin “pushtuesit” ? Emrat nuk dalin në skenë. Për çfarë qëllimi e kishin marrë ekipin , për t’ia bërë portën fizarmonikë? As për këtë nuk ka asnjë lajm. Po presidenti Bardhi i Dinamos, përse nuk e paska patur mëndjen në “mësim” kur ekipin e kishte zaptuar “djalli”?
Sa më shumë pyetje lindin nga kjo deklaratë e pazakontë , aq më shumë mister qarkon klubin që edhe në këtë rast e justifikon nofkën “nëndetëse”. Edhe një pyetje të fundit: po tifozët e Dinamos pse hodhën parrullë kundër presidentit Duka gjatë ndeshjes Derbi, të cilën e hoqën kaq shpejt “delegatët” , sa u ndryshua edhe origjina e saj..ishte parrullë politike!
Sfidanti.al