Italia në finale të Europianit, por humbi skuadra më e mirë, Spanja!

Nëse edhe “furitë e kuqe” do të kishin vendosur të luanin ashtu siç bënë të kaltrit, atëherë për gjysmëfinalen e parë të Europianit do të kishte qenë më mirë të kishim fikur televizorin dhe të kishim marrë vesh rezultatin në fund. Italia siguroi finalen në Euro 2020 pas gjuajtjes së penalltive në “Uembli”, por u largua e mundur skuadra më e mirë. Spanja mbajti topin 70 për qind, bëri 16 gjuajtje drejt kuadratit (5 në portë), ndërsa Italia bëri 7 të tilla (4 në portë). Kornet ishin 6-1 për iberikët e trajnerit Luis Enrike që u përpoqën të luanin futboll nga fillimi deri në fund, duke respektuar tifozët.

Gjithsesi, në futboll nuk fiton gjithmonë skuadra më mirë, siç ndodhi në gjysmëfinalen e 2000-it kur Italia mundi Holandën po me penallti, apo në ndeshjen në grup në 1996, kur Italia u eleminua pasi barazoi 1-1 me Gjermaninë. Spanja pati epërsi gjatë gjithë kohës, por Kieza shënoi në kundërsulm. Iberikët e vazhduan trysninë dhe gjetën barazimin e merituar me Alvaro Moratën.

Tek gjuajtjet e penalltive, Lokateli gaboi për italianët (priti Unai Simon), por për spanjollët nuk shënuan dot Dani Olmo dhe Alvaro Morata, i pari gjuajti mbi portë, ndërsa në rastin e dytë priti Donaruma. Beloti, Bonuçi, Bernardeski dhe Jorginjo shënuan për italianët, Moreno dhe Tiago Alkantara e bënë për spanjollët.

Italia: Donaruma, Di Lorenco, Bonuçi, Kielini, Emerson (Toloi 74’), Barela (Lokateli 85’), Jorginjo, Verrati (Pesina 74’), Kieza (Bernardeski 107’), Imobile (Berardi 62’), Insinje (Beloti 85’). Tr. Mançini

Spanja: Simon, Azpilikueta (Jorente 85’), Erik Garsia (Pau Torres 109’), Laporte, Zhordi Alba, Koke (Rodri 70’), Buskets (Tiago Alkantara 105’), Gonzales, Ojarzabal (Moreno 70’), Olmo, Ferran Torres (Morata 62’). Tr. Luis Enrike

Sfidanti.al