Kur themi futboll, sot kjo nuk do të thotë thjesht një pasdite argëtuese mes dy ekipeve që djersiten për të fituar, bëjnë dushin e shkojnë të kënaqur në shtëpi. Jo, futbolli i sotëm është biznes, një industri shërbimi, dhe ekuilibrat prishen shpesh. Për shkak të koronavirusit ndodh që edhe klubet më të mëdhenj të botës të ndjejnë tronditje dhe Reali nuk bën përjashtim. Përtej interesimit për Kilian Mbapenë, për të cilin presidenti Perez pritet të nisë “sulmin” pas Europianit, duhen bërë llogaritë në “shtëpi”. Shqetësimi ka të bëjë me rrogat e dy lojtarëve të huaj, si belgu Eden Hazar dhe uellsiani Garet Bejl. E zeza është e shkruar mbi të bardhë që secili prej tyre fiton 15 milionë euro neto në sezon, pra bashkë me taksat shkon në 30 milionë për secilin e 60 milionë euro për të dy. “AS” informon se kjo do të thotë 13 për qind të totalit të pagave në Madrid, ndërsa vetë forma e dy lojtarëve nuk ka bindur për shumë arsye.
Sfidanti.al