Kush tha që mrekullitë nuk ndodhin? Zvicra eleminon Francën!

Këtu jemi në Euro 2020, dhe “pasaporta e Kupës së Botës” nuk vlen gjithnjë. E vërtetë që Franca e bëri në 2000 dhe Spanja në 2012, por kjo Francë e Mbapesë dhe trajnerit Deshamp nuk ia doli. Është Zvicra, mrekullia më e madhe e turneut që eleminoi kampionët e botës pas gjuajtjes së penalltive, duke kurorëzuar një ndeshje tjetër të madhe futbolli, dhe sërish të çmendur.

Granit Xhaka ishte kapiteni i ekipit që habiti gjithë botën, që barazoi 3-3 duke qenë në humbje 1-3, dhe që ndaloi “gjelat” në Bukuresht. Zvicra është në çerekfinale, dhe në fushë për të ishte edhe Xherdan Shaqiri për 73’, por edhe Mehmedi në minutën e 87-të. Gjithsesi, vetëm njëri nga shqiptarët e Zvicrës shkoi të gjuante penalltitë (Mehmedi), nga të cilat u vendos fati i ndeshjes. Po ashtu, nuk shënuan as golat që i realizuan dy lojtarë gjithashtu nga ish-Jugosllavia si Seferoviç (2 herë) dhe Gavranoviç në sekondat e fundit.

Zvicra ishte ekipi më i mirë, pavarësisht nga klasi në fushë i Francës me Jorisin, Varanin, Pavarin, Pogbanë, Kantenë, Rabionë, Grizmanin, Benzemanë, Mbapenë dhe në kohën shtesë edhe Olivie Zhirunë. Edhe pse francezët e mbajtën më shumë topin, dhe gjuajtën më shumë, sërish zviceranët u dukën më të bashkuar, dhe luajtën me më shumë shpirt. Helvetët e trajnerit Petkoviç kryesuan 1-0, pastaj humbën penalltinë për 2-0 nga Rikardo Rodrigez, ndërsa nuk u dorëzuan as kur Franca shkoi në 3-1. Tek penalltitë, pati nerva më të forta dhe nuk humbi asnjë. Shënuan Gavraoviç, Shar, Akanxhi, Vargas, Mehmedi. Për Francën shënuan radhazi Pogba, Zhiru, Turam, Kimpembe, ndërsa gaboi Mbape. Tashmë, në çerekfinale do të kemi një Spanjë-Zvicër!

Sfidanti.al