Trajneri Santos: Ronaldo luftoi deri në fund si kapiten i madh!

Vlerësimet për të ishin të mëdha, nga mediat, por edhe nga drejtuesi i tij te kombëtarja e Portugalisë. Kristiano Ronaldo e bëri edhe një herë detyrën duke u sakrifikuar pa u kursyer, ndërsa tregoi se është shumë i lidhur me fanelën. “Ronaldo luftoi deri në fund dhe e udhëhoqi ekipin si kapiten i vërtetë, – u shpreh trajneri Fernando Santos, – ai dha shembullin në një ditë që ne nuk patëm fat. Më vjen keq sepse dhamë gjithçka dhe merituam të fitonim, por kështu është futbolli”.

Të përditshmet portugeze patën fotot e Ronaldos me kokën ulur dhe të dëshpëruar, në kopertinat e tyre, ndërsa shkruajtën se portugezët nuk patën fat. “Ishte Hazari”, – titullon e përditshmja “Rekord”, – Portugalia eleminohet edhe pse ishte superiore! Trajneri Santos thotë se në dhomën e zhveshjes kishte lojtarë që qanin”! Po ashtu, gazetat theksuan faktin se Belgjikës i mjaftoi një moment frymëzimi kur shënoi golin, për të eleminuar kampionët e Europës në fuqi. Për Ronaldon, tashmë, Shansi i fundit me Portugalinë duket Kupa e Botës në Katar vitin e ardhshëm.

Sfidanti.al