Spanja fitoi “Ndeshjen e Çmendur” ndaj heronjve të Kroacisë!

Ndeshja e çmendur duhet të jetë pikërisht e tillë, dhe bashkë me gabimet deri edhe qesharake, kjo Kroaci-Spanjë mbetet dueli më emocionues, më i veçantë e ndoshta i papërsëritshëm i Kampionatit Europian. Në fund fitoi Spanja 5-3, duke thënë pa dyshuar aspak se e meritoi, por duke u ngritur në këmbë, duke hequr kapelen “me gjithë flokët” e duke duartrokitur heronjtë e Kroacisë.

Kombëtarja e një vendi të vogël me rreth 4.5 milionë banorë nuk u druajt të synonte eleminimin e një superfuqie futbolli, një shteti me rreth 47 milionë banorë, me një nga shkollat më të mëdha të këtij sporti në botë, me klube-institucione si Reali i Madridit apo Barcelona, për të mos përmendur Atletikon e Madridit, Sevilje, Valencian, Vijarrealin etj. E tillë krenaria ballkanase, shkolla e shkëlqyer e futbollit që zë fill që në stilin danubian në fund të shekullit të 19-të e nisje të shekullit të 20-të, bashkë me austriakët, hungarezët e çekët.

Çmenduria nisi me gabimin e portierit Unai Simon që shkaktoi autogol, me përmbysjen në 3-1 të spanjollëve me golat e shënuar nga Sarabia (38’), Azpilikueta (57’) e Ferran Torres (77), dhe vazhdoi me reagimin e madh kroat në minutat e fundit. Mislav Orshiç e Mario Pashaliç barazuan në 85’ e 90’+3. Në shtesë, Unai Simon ndaloi golin thuajse të sigurt të Kramariçit, ndërsa Morata e Ojarzabal vulosën shifrat 5-3 në 100’ e 103’.

Spanja e mbajti topin 66 për qind, e padyshim ishte skuadër më cilësore, më sulmuese dhe që provoi 21 gjuajtje drejt portës e 12 në kuadrat, ndaj 10 gjuajtjeve të kroatëve, nga të cilat vetëm 6 në katërkëndëshin e portierit Unai Simon.

Padyshim për ekipin e trajnerit Zllatko Daliç ndikoi shumë mungesa e Ivan Perishiçit, të izoluar pasi doli pozitiv për koronavirus, dhe kjo ndihet shumë kur nuk ke shumë zgjedhje. Vetëm 3 lojtarë kanë mbetur nga heronjtë që arritën finalen e Kupës së Botës në 2018 në Rusi, dhe përvoja nuk është ajo e dikurshme. Në pjesën e dytë hynë Kramariç (Hofenhajm), Orshiç, Brekalo, Pashaliç, Budimir dhe Ivanushec, madje ky i fundit zëvendësoi kapitenin Luka Modriç në minutën e 90-të.

Sfidanti.al