Nuk dihet nëse mund të jetë mbrëmja e tij. Xherdan Shaqiri do të ketë një tjetër test për klasin e tij, kur Zvicra të vendoset përballë Francës sonte në orën 21:00 në stadiumin kombëtar të Bukureshtit. Luhet në Rumani për raundin e dytë të Kampionatit Europian, dhe shqiptari nga Kosova është një nga shpresat e pakta të zviceranëve për të arritur një sukses që duket i pamundur. Me 7 gola në fazat finale të Europianëve dhe Botërorëve, Shaqiri është rekordmen i kombëtares, ndonëse steka ndaj kampionëve të botës është tepër lart. Kapiteni Granit Xhaka gjithsesi ka besim dhe flet pa mëdyshje për objektivin.
“Ne nuk e nisëm mirë kampionatin, por pastaj u kualifikuam, – u shpreh shqiptari tjetër i Zvicrës, – ne duhet të japim 90 minutat tona më të mira, ndoshta 120 minutat më të mira. Ne duam të kalojmë në çerekfinale, pasi jemi eleminuar tri herë radhazi në raundin e dytë. Kjo skuadër është gati për të shkruar historinë”.
Në publikun zviceran nuk ka besim tek suksesi, siç e tregon sondazhi i të përditshmes “Blik”, në të cilin votuan 35 000 lexues. Plot 52 për qind e tifozëve, sipas këtij sondazhi, besojnë se Franca do të fitojë pa vështirësi, ndërsa në total 67 për qind gjykojnë se Franca, gjithsesi, do të kualifikohet. Në total, Zvicra nuk është keq me bilanc me “gjelat”, duke pasur 12 fitore ndaj 16 të rivalit të madh, veçse suksesi i fundit i përket vitit 1992, gati 30 vjet më parë, ndërsa në 7 përballjet e fundit ka 3 fitore franceze dhe 4 barazime.
“Ne duhet të hyjmë në ndeshje me mentalitetin e duhur dhe të kemi besim në forcat tona, – tha tekniku, – ne duhet të luajmë një ndeshje të madhe, madje përtej mundësive tona. Nëse ne japim 100 për qind dhe Franca jep 100 për qind, atëherë nuk mjafton. Franca thuhet se ka dëmtime, por ka edhe shumë alternativa”.
Pavarësisht nga shpresa e Petkoviçit dhe e Xhakës, dhe pavarësisht talentit të Shaqirit, Zvicra nuk duket se mund të bëjë mrekullinë, siç u pa edhe në disfatën 0-3 me Italinë në grup. Siç thonë tifozët, më e mundshme është një masakër.
Sfidanti.al