“Ferri dhe parajsa” janë shumë pranë në futbollin tonë, aq pranë sa ndonjëherë edhe ngatërrohen. Kujton se je në parajsë, kurse në fakt je më pranë “ferrit”. Je në “ferr” dhe gëzon sikur të ishe në parajsë. Shembulli më i fundit është finalja e Kupës së Shqipërisë, Vllaznia me Skënderbeun, një finale që po shërbehet si një rebelim ndaj ekipeve të “mëdha” nga të voglat. Vllaznia për pak humbi trajnerin Berdariç kur nga parajsa e titullit, “mallkimi” e nisi tëposhtë.Kurse Skënderbeui noddhi e kundërta: gjëndet poshtë në ferrin e Superligës, dhe një ditë haleluje katapulton në majë të Kupës.
Çfarë nuk dëgjon për bëmat e Kupë! Vetëm një gjë nuk e kap radari i prapaskenës : pse ekipet e “mëdha” të kampionatit , me në krye Teutën, u arratisën me stil nga Kupa, aq sa dëgjon të argumentohet se nuk mund të ndodhte ndryshe kur titulli i kampionatit vlen afro 1 milion euro! Një vlerë për “Ginesin e parave” në tregun e futbollit,pasi ky qënka kampionati më i shtrenjtë në histori. Duket si antikohë kur gjykon se vlera është ngjitur tamam në sezonin pa tifozë nga pandemia , dhe me 8 javë të hedhura në erë nga i (pa) famshmi bojkot!
Si e pësuam këtë herë? Nëse dikush, një nga orakujt e shquar, do të guxonte të parathoshte se në finale do të jenë Vllaznia me Skënderbeun, me siguri do të dëgjonim sirenat e ambulancës që do të vinin për t’i bërë “tamponin” parashikuesit! Një finale që tregon se është tundur fortë “gota e Kupës” për të ngritur lart dhe ata që janë poshtë në Superligë. E kush e priste Skënderbeun? Edhe Vllaznia na gënjeu bukur, ngaqë dukej se ishte zhytur kokë e këmbë në garën e titulllit dhe sa frikë kishim ta mendonim në majë të Kupës, ngaqë na kumbonte në vesh shprehja e moçme : Kujdes, s’mbahen dy kunguj në një sqetull! Pale kur dëgjon futbollistin Adili të Vllaznisë, që edhe pse e di nga mesimet e kaluara se është më mirë të heshtësh sesa të flasësh, pa pikë gajle i bie me të madhe kambanës: “ Vllaznia po bëhet gati për dy trofetë”.
Sfidanti.al