Stojkoviç i përgjigjet Ronaldos: Vjet na shënoi gol jashtë loje!

Mosakordimi i një rrjete të rregullt për CR7-ën në Beograd krijoi polemika të mëdha, dhe mediat portugeze sulmuan me fjalët “vjedhje”, ndërsa ndeshja eleminatore e Botërorit ndaj Serbisë përfundoi 2-2. Kristiano Ronaldo hodhi përtokë shiritin e kapitenit plot nerva dhe doli nga fusha pa vërshëllyer gjyqtari fundin e ndeshjes, por superylli i Juventusit pati një përgjigje nga trajneri i serbëve, Dragan Stojkoviç.

Ish-ylli i Crvena Zvezdës e Marsejës, deklaroi se këto janë gjëra që ndodhin në futboll, ndërsa kujtoi atë që ndodhi një vit e ca më parë në ndeshjen që Portugalia fitoi 4-2 në Beograd. “Dua t’iu kujtoj se herën e kaluar, vetë Ronaldo shënoi gol në pozicion jashtë loje ndaj Serbisë, – tha “Piksi”, – në atë rast, Ronaldo nuk u zemërua, por e pranoi golin. Gabimet janë pjesë e lojës dhe u ndodhin të gjithëve”. Në të vërtetë, CR7 shënoi golin e tretë portugez në “Marakana” të Beogradit në pozicion jashtë loje, për rezultatin 3-1.

Sfidanti.al