Kriza e Juves, tifozët akuzojnë klubin, Anjeli akuzon Pirlon, CR7 me nerva!

Kur zbritën në fushë, as nuk e mendonin këtë përfundim. Kristiano Ronaldo dhe lojtarët e tjerë të Juventusit, ashtu si trajneri Andrea Pirlo, shpresonin të vazhdonin fitoret në Serinë A, për të ndjekur Interin e Milanin në garën për titull, e për të harruar zhgënjimin e Championsit. Gjithsesi, ky sezon nuk qenka për të gëzuar, por për ëndrra të këqija, dhe disfata në shtëpi ndaj Beneventos shkaktoi një krizë të vërtetë brenda klubit, dhe një zemërim të tifozëve që për fat nuk lejohen në stadium. Plot 63 për qind e tifozëve, që votuan në një sondazh të “La Gazeta delo Sportit” bënë fajtor klubin dhe strategjinë e tij, gati 23 për qind ishin kundër Pirlos dhe vetëm 14 për qind akuzuan lojtarët.

Gjithsesi, lajmet janë që presidenti Andrea Anjeli është tepër i pakënaqur pikërisht me trajnerin, që u mor me shumë bujë në verë, si njeriu që ka klasin juventin. Flitet për përplasje të Anjelit me Pirlon, ndërsa pinjolli i familjes më të shquar në Itali është tepër i pezmatuar që pas 10 vjetësh po humb për herë të parë titullin. i mësuar me lavdi të pakufishme të paktën në Itali, ai duket se gjykon që fajtor është njeriu i stolit.

Edhe më problem ishte pakënaqësia e shprehur nga Kristiano Ronaldo pas ndeshjes, që thuhet se bërtiti në dhomat e zhveshjes. Portugezi ishte i acaruar gjatë gjithë 90 minutave, i mërzitur me shokët e ekipit, dhe frika është se mos merr vendimin për t’u larguar në fund të sezonit. Për më tepër, trajneri i akuzoi lojtarët pas humbjes.

“Mbajmë mbi shpinë një fanelë të madhe dhe duhet ta respektojmë, – tha Pirlo, – donim të bënim një tjetër ndeshje, por për fat të keq na qëlloi një ditë “jo”. Ishin shumë të nxituar dhe kjo na kushtoi. Sidoqoftë, duhet të vazhdojmë të besojmë tek titulli, objektivat nuk ndryshojnë, por duhet më shumë dëshirë për të arritur rezultatet”.

Pavarësisht se klubi i doli në mbrojtje trajnerit me fjalët e drejtuesit Paratiçi, sërish në Itali mendojnë se ai rrezikon. “Pirlo në telashe, – paralajmëron “La Gazeta delo Sport”, – Rrëzim i Juventusit, lamtumirë ëndrra e titullit! Rrezikohet edhe kualifikimi për në Champions, trajneri mbrohet nga klubi, por akuzon skuadrën”. “Juve, ky është një dorëzim”, – shkruan “Il Korriere delo Sport”, – humbje në shtëpi nga Benevento, Interi mbetet +10 pa luajtur fare! Hap fals i pabesueshëm i bardhezinjve në garën për titull!” Juventusi është në vend të katërt në Serinë A, 10 pikë prapa Interit që ende nuk ka luajtur.

Sfidanti.al