Juve, çfarë kombini: 348 milionë euro shpenzim, Champions i dështuar me CR7-ën më të dobët!

Për herë të fundit që nuk shënoi asnjë herë në fazën me eleminim direkt në Ligën e Kampionëve, ndodhi 16 vjet më parë (2005) kur luante për Mançester Junajtidin. Më pas, Kristiano Ronaldo ishte gjithnjë heroi i Championsit, jo më kot shënuesi më i mirë me 134 gola, por ja që e keqja u përsërit. CR7 sërish nuk mundi të shënonte dhe mediat italiane shkruan se Juventusi u tradhëtua nga njeriu që e ka fituar 5 herë “trofeun me veshë”, dhe që u prit në 2018 si “Mesia” që do ta sillte Championsin në Torino.

U shpenzuan 348 milionë euro, theksojnë mediat në Apenine, për të blerë një tjetër dështim dhe për herë të parë në histori kemi 3 eleminime radhazi të hershme: Ajaksi në çerekfinale, Lioni në të tetat e finaleve dhe Porto në të tetat e finaleve. Asnjë prej këtyre rivalëve nuk ishte “peshë e rëndë europiane”. Mbi të gjithë shpenzimet rroga prej mbi 31 milionë eurosh në sezon e Ronaldos. Kritika edhe për trajnerin Andrea Pirlo, por edhe për klubin që largoi një teknik shumë të suksesshëm si Alegrin (5 tituj në Serinë A, 4 Kupa të Italisë, 2 finale Championsi), ndërsa Sarri e Pirlo nuk duken në nivelin e tij.

Sfidanti.al