Kishim dëgjuar dhe do të dëgjojmë prapë, sapo të nxehet “kazani” i Superligës, kur një arbitër vjedh fatin e ndeshjes duke bërë “magjinë e zezë” tek pika e bardhë e penalltisë. Po kjo që ndodhi këtë javë në stadiumin Loro Boriçi në Shkodër , gjatë ndeshjes Vllaznia-Partizani duket si ” vjedhja më spektakolare”, nëse do të kemi parasysh kohën në të cilën jetojmë dhe vendin ku ndodhi, atdheun e futbollit, Shkodër. 500 apo 600 tifozë qënkan futur në majë të gishtave në stadiumin “Loro Boriçi” ,pa i parë askush , duke dribluar gjithë armatën e përgjumur të FSHF-së..delegatin, vëzhguesit, rojet anticovidë, bile dhe vetë futbollistët që ishin në fushë. Sa në një moment përgjatë pjesës së dytë, Imami i Vllaznisë, paska pyetur me habi shokun e tij të ekipit : “ A është e vërtetë kjo që po shohin sytë me tifozët apo jam në ëndërr…?”
Të gjitha palët u kapën në gjumë në Shkodër, madje edhe vetë Partizani, që kur e kapi veten si humbës në fundin e ndeshjes, zbuloi sekretin e madh të ndeshjes: Vllaznia fitoi se kishte 500 apo 600 tifozë në stadium! Pale kur Olsi Rama u shfaq në ekran dhe në vend të pranonte që shkodranët e fituan me meritë ndeshjen sepse Partizani nuk ishte Partizan, që nuk krijonte dot raste, dhe gjëja më e mirë që dinte të bënte ishte të ruante portën sikur kishte fshehur ndonjë..thesar! Por, thesari i vërtetë i ndeshjes nuk paskësh qënë aty, por tek krahu tjetër, tek shkodranët, tek sponsori debutues Xhaferi që lëshoi bombën “matematikore”: “ Nëse fituam prej 500 tifozëve, po të kishte qënë plot stadiumi ynë do t’i kishim futur nja 30 gola Partizanit..”
Sfidanti.al