Reali thuajse zhgënjen në Champions, “thumba” edhe nga kapiteni Ramos!

Rezultati në Gjermani nuk është se ishte shumë i pëlqyeshëm, ndonëse reagimi në minutat e fundit ishte tregues karakteri. Reali i Madridit barazoi 2-2 me “shpirt ndër dhëmbë” në fushën e Borusias së Mynshengladbahut, ndërsa mbeti në fund të grupit në Champions. Përtej shifrave aspak për t’u kënaqur, drejtuesit madrilenë duhet të jenë mërzitur nga komentet tallëse të kapitenit Sergio Ramos për ngjyrat e uniformave të stërvitjes gjatë nxemjes në stadiumin e Gladbahut. “Duhet të pyesim ata të Adidasit se kush e ka menduar këtë ngjyrë për uniformat, – tha Ramosi, – kjo është për t’u tallur”.

Gjithsesi, gjatë ndeshjes kapiteni nuk pati shumë kohë për t’u marrë me uniformat e stërvitjes, pasi me uniformat “e festës” vuajti jo pak. Gjermanët, që dolën në vend të katërt vjet në Bundesligë dhe që janë sot në vend të gjashtë, shënuan dy herë me anë të Markus Turamit në minutat 33 e 58. U desh gjithë reagimi i krenarisë së cënuar “merenges” që të kapej një pikë me protagonist Kasemiron. Mesfushori brazilian asistoi Karim Benzemanë në 87’ dhe realizoi golin e barazimit në 90’+3. Pas barazimit të Interit në Ukrainë me Shahtarin, gjendja në grup është kjo: Shahtar 4 pikë, Borusia Mynshengladbah e Inter nga 2, Reali 1.

Sfidanti.al