Epoka e re nis tek Barça me dorëheqjen e Bartomeut, po Mesi ç’rol do të ketë?!

Antonio Konte thoshte se “është më e lehtë të zhvendosësh nga vendi Katedralen e Milanos” sesa të largosh Lionel Mesin nga Barcelona. Një italian tjetër, Ariedo Braida, shprehej se “ishte e pamundur që Interi të merrte Mesin, sepse ai dhe Barcelona janë e njëjta gjë!” Sot, njeriu që është e njëjta gjë me Barcelonën e fitoi luftën e tij me drejtuesit e lartë, pasi presidenti Zhozep Maria Bartomeu dha dorëheqjen. Pasi bëri një përpjekje të fundit, të dëshpëruar, për të ndaluar mocionin e mosbesimit me argumente lidhur me koronavirusin, ai shpalosi përpara Këshillit Drejtues (Hunta Direktiva-Junta Directiva) dorëheqjen personale, po ashtu si edhe të drejtuesve të tjerë ekzekutivë.

Në “Kamp Nou” përfundon një epokë nisur në 2014 pas largimit të ish-presidentit Rosell, konfirmuar me zgjedhjet e 2015-ës, dhe që pati më shumë hije sesa dritë. Suksesi sportiv, fillimisht, ishte i madh pasi u fitua Championsi, La Liga dhe Kupa e Mbretit në 2015, ashtu si dhe Superkupa e Europës dhe Kupa e Botës për klubet, por mesa kuptohet sot, kjo ishte më shumë meritë e yjeve të skuadrës si Mesi, Ksavi, Iniesta, Nejmar e Suarez, dhe e inercisë së sukseseve të mëparshme. Nuk dihet se cili do të jetë roli i Lionel Mesit në Barcelonën e re, pasi para pak javësh ai kërkoi largimin nga klubi. Pritet që Laporta të kthehet president dhe shpresohet që ai të rikthejë epokën e triumfeve, ndonëse nuk do të jetë e lehtë.

Sfidanti.al