Kanë kaluar 17 vjet nga ajo ditë tragjike e 10 nëntorit 2009, kur Robert Enke i dha fund jetës në moshën 32-vjeçare. Një portier i jashtëzakonshëm, kandidat për të qenë titullar me Gjermaninë në Botërorin e vitit pasardhës, por edhe një njeri i jashtëzakonshëm, shtyllë dhe kapiten i Hannover, që ka lënë një gjurmë të pashlyeshme shumë përtej sukseseve të tij sportive. Roberti, i cili vuante nga depresioni dhe e kishte mbajtur të fshehtë për një kohë të gjatë, kreu vetëvrasje duke u hedhur përpara një treni në një kalim hekurudhor pranë shtëpisë së tij, në Eilvese të Saksonisë së Poshtme.
Sot, e veja e tij, Teresa, rrëfen ato orë dëshpërimi, kur ende nuk dinte asgjë, dhe zbulon një episod – një mesazh që Enke kishte lënë në varrezë, mbi varrin e vajzës së tij – që sipas saj është prova përfundimtare se bashkëshorti nuk e kishte kapërcyer kurrë vdekjen e vogëlushes, tre vite më parë. Lara, e lindur me një keqformim të rëndë të zemrës, kishte ndërruar jetë në moshën vetëm dyvjeçare, në shtator të vitit 2006. Në maj të vitit 2009, çifti kishte birësuar vogëlushen Leila, por boshllëku i krijuar në zemrën e Enke nuk ishte mbyllur kurrë, deri në momentin kur u shndërrua në një humnerë që e përpiu. Duke folur me Robin Gosens në podcastin e drejtuar prej tij, Teresa zbulon se Roberti kishte lënë një mesazh mbi varrin e vajzës. Përpara se t’i jepte fund jetës, portieri ishte ndalur në varrezë dhe kishte vendosur mbi varr një letër në formë zemre. Në të shkruhej: “Lara, babi po vjen”.Duke e parë ngjarjen në retrospektivë, ish-pentatletja shprehet e bindur se bashkëshorti i saj nuk e kishte përpunuar kurrë siç duhej humbjen e vajzës dhe pranon se pas asaj tragjedie duhej të kishin vepruar ndryshe, duke iu drejtuar dikujt për të marrë mbështetje psikologjike. Edhe pse futbolli kishte qenë për të një mënyrë për të lehtësuar dhimbjen, ai nuk i kishte zgjidhur problemet e shëndetit mendor. “Nuk kërkuam ndihmë. Thjesht qanim së bashku. Besoj se ai nuk e përpunoi dhimbjen e tij ashtu siç duhej”, shprehet ajo.

