‘Barcelona është skuadër shumë e famshme te ne sepse kanë luajtur shumë holandezë. Padyshim që Johan Cruyff është më i madhi nga të gjithë, sepse ka ndikuar shumë në klub si lojtar dhe si trajner’-Janë këto fjalët e Frenkie De Jong, mesfushorit të Barcelonës gjatë një interviste për UEFA ku tregoi sezonin e tij të parë me fanelën blaugrana.
‘Në Barcelona jetohet shumë mirë-tregon De Jong-ka një klimë më të mirë se në Holandë. Ka plazhe, male dhe njerëzit janë simpatikë. Ajo që më mungon më shumë nga Holanda është familja ime’.
Frenkie De Jong tregoi edhe për këshillat që i dha Ronald Koeman përpara se ai të transferohej te katalanasit.
‘Në një bisedë telefonike, përpara një viti, Koeman më foli shumë mirë si për skuadrën ashtu edhe për qytetin-vijon De Jong-më tha vetëm gjëra pozitive, por më tha edhe se duhet të jem i kujdesshëm; të mos shkoja shumë nëpër restorante sepse në Barcelonë jetohet mirë dhe ndonjëherë të duket sikur je me pushime gjatë gjithë vitit. Por në fund ai që ka rëndësi është futbolli’
Duke folur për shokët e tij të skuadrës te Barcelona De Jong nuk i kurseu elozhet për Pjanic ndërkohë që nuk ngurroi të zgjedhë Messin përsa i përket rivalitetit me Ronaldon
‘Pjanic, besoj se është një futbollist i madh, ndihet shumë mirë me topin në këmbë-tha De Jong-i lexon mirë aksionet dhe gjuajtjet, pasimet dhe krosimet e tij janë të shkëlqyer. Do të rrisë cilësinë e skuadrës dhe jam i kënaqur që erdhi te ne. Por kur në skuadër ke Messin, e di që po luan me futbollistin më të mirë në botë, kështu që kërkon të zësh pozicionin më të mirë për të bërë diferencën. Nëse ia del, ai të shpërblen gjithnjë’.
Sfidanti.al