Dëgjoni Antonio Konten: Lacio-Inter duel i dy të pafavorizuarave!

Skuadra e tij është me pikë të barabarta me Juventusin, dhe golaverazh më të mirë, ndërsa Lacio është vetëm 1 pikë prapa. Ky është realiteti i Serisë A, por sërish Antonio Konte nuk e sheh renditjen ashtu siç është, por ashtu siç ai mendon se duhet të jetë. Pra, që Juventusi është favorit për titullin, edhe pse nuk e ka fshehur kurrë se Interi i tij do ta synojë triumfin final. Pak a shumë, bie dakord (nëse mund të themi kështu) me fjalët e Jurgen Klopit se “nuk e di sesi Juventusi nuk është 10 pikë përpara në Serinë A”.

“Është një ndeshje e vështirë me të vërtetë, – u shpreh Konte, për ndeshjen e sotme të orës 20:45, Lacio-Inter, – Lacio është realitet i konsoliduar i futbollit italian, fitoi Kupën vjet dhe Superkupën këtë vit. E forcoi skuadrën, mbajti lojtarët më të mirë dhe Simone Inzagi po punon shumë mirë. Gjithsesi, unë do ta quaj një ndeshje mes dy ekipeve që nuk janë favoritë për titullin, ky do të ishte përkufizimi i duhur”.

Sfidanti.al