Vazhdon beteja finale për titullin “kampion” në volejbollin e meshkujve, aty ku të enjten është zhvilluar edhe përballja e dytë. Dueli Tirana-Partizani, që u luajt në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë në Farkë është sjellë drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka qenë një betejë maratonë që ka zgjatur afro dy orë e gjysmë. Tirana e kishte fituar ndeshjen e parë në fushën e Partizanit me 4 sete dhe skuadra e trajnerit Ben Sako do ta fitojë edhe setin e parë të sfidës së dytë, në 33 minuta lojë, me shifrat 25-23. Megjithatë, Partizani do të reagojë, duke e fituar atë të dytin, po në 33 minuta lojë, 25-21 dhe duke vendosur kështu barazpeshën në sete. Skuadra e Ylli Tomorrit do të shfrytëzojë momentin e mirë, duke mbizotëruar në 30 minuta edhe në setin e 3-të, të cilin e ka fituar me rezultatin 25-18, duke përmbysur kështu gjendjen e seteve në favor të saj.
Sikundër pritej, seti i 4-t ka qenë i luftuar, me Tiranën që përpiqet të mbetet në këtë përballje dhe ia ka dalë, pasi e fiton atë bindshëm, 25-16, në 25 minuta, duke e çuar fatin e kësaj ndeshjeje në setin e 5-të dhe fundit. Dhe është skuadra e trajnerit Ben Sako ajo që e ka ka fituar edhe këtë set të 5-të, duke ngadhënjyer edhe në duelin e dytë të finales së Superligës së Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Meshkuj, ndaj Partizanit, këtë radhë me shifrat 3-2. Takimi i 3-të i finales për titull të rrjetës së meshkujve do të zhvillohet të dielën, më 28 prill, duke nisur nga ora 18:00, po në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë në Farkë.
sfidanti.al