Mos vallë do të kualifikohen sërish në kompeticionin më të madh të botës për klubet? Përse të mos e bëjë Atalanta, sidomos tani që fitoi “finalen” ndaj Romës në fushën e saj në Bergamo. Ishte një sukses me përmbysje, ashtu siç kanë qenë 40 për qind të sukseseve të bergamaskëve të trajnerit Gasperini. Palomino e Pashaliç vendosën ndeshjen, ndërsa shkoi kot goli i Xhekos për kryeqytetasit.
Atalanta ka 45 pikë ndaj të Romës, dhe duket e sigurt në vendin e katërt, 6 pikë para romanëve. Skuadrat e tjera janë shumë më prapa, duke nisur nga Verona e Kumbullës dhe Rrahmanit që ka 34 pikë. Nuk duhet harruar se bergamaskët janë ende në Championsin e këtij viti, dhe shpresojnë të arrijnë në çerekfinale, edhe pse do të ndeshen me një kundërshtar me më shumë përvojë, siç është Valencia e Spanjës. Trajneri Gasperini ndihet i lumtur. “Jemi në një moment entuziazmi të jashtëzakonshëm, – thotë ai, – si ia bëjmë që ta përballojmë? Epo, askush në Itali nuk ka kaq shumë entuziazëm sa ne. Publikun e kemi me vete dhe kështu do të jetë edhe ndaj Valencias. Një qytet i tërë do të vijë pas nesh në Milano. Ka ende 14 ndeshje për t’u luajtur, por e dimë se mund të kualifikohemi sërish në Champions. Do të varet nga ne, pasi diferenca nga Roma nuk është ende e madhe”.
Sfidanti.al