Skuadrat e bashkisë dhe skuadrat e tifozëve nuk janë e njëjta gjë!

Në Gjermani ka një ligj sipas të cilit çdo klub futbolli është pronë e tifozëve me 51 për qind të aksioneve. Pra, njerëzit që e duan me zemër lojën, kanë në dorë të marrin vendimet. Në Spanjë, vërtet dominojnë presidentët si Perez apo Bartomeu, por klubet spanjollë kanë dhjetëra mijë ortakë, të cilët në një pjesë të madhe janë tifozët. Ja pra ku kemi modele klubesh që nuk zotërohen nga një familje e madhe, që quhen publikë, por që funksionojnë shumë mirë, me skuadra që “bien erë futboll”, me stadiumet plot dhe, në Gjermani, edhe me bileta të lira.

Në Shqipëri, të quhesh dhe të jesh klub futbolli publik, është një e keqe e madhe. Në një vend ku shoqëria moderne në kuptimin e plotë të fjalës nuk ekziston, këta lloj klubesh janë një “lopë për t’u mjelë”, ose minimalisht për t’u degjeneruar. Tirana e disa viteve më parë (që po i ndjen pasojat ende), dhe Vllaznia sot e kësaj dite, janë shembuj të qartë. Qytet ka, tifozë ka, por ende jo shoqëri të organizuar që të dijë ta drejtojë ajo klubin dhe të denoncojë e të bëjnë të dënohen shpërdoruesit.

Është e njëjta histori si me vlerat ekonomike të vendit. Shqipëria sot është në kulmin e privatizimeve dhe koncesioneve, diçka që natyrisht bëhet nën rrogoz dhe për fitimin e një pakice, por është po aq e vërtetë, se shumica, pra shoqëria sot për sot nuk di të menaxhojë ekonominë e vendit. Nëse në Suedi, Norvegji apo Danimarkë, ka ekonomi publike sa të duash (natyrisht, ka edhe private), në Shqipëri nuk bëhet fjalë. Për momentin dhe për shumë kohë, do të mbetemi në duart e presidentëve. Nuk është zgjidhja më e lumtur, por është e vetmja që kemi derisa të bëhemi si gjermanët apo si nordikët.

Sfidanti.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *