Një makinë Mercedes do të niset nga vendi i parë në Çmimin e Madh të Austrisë në “Red Bull Ring”, por nuk do të jetë ajo e Ljuis Hamiltonit. Fitues në provat zyrtare doli shoku i tij i skuadrës, Valteri Botas. Piloti finlandez realizoi një paraqitje të shkëlqyer, duke vendosur rekordin e shpejtësisë në një xhiro të vetme në këtë pistë, duke thyer për një ditë arritjen e Hamiltonit.
Pas 27-vjeçarit u rendit Sebastian Fetel i Ferrarit, dhe kryesuesi i renditjes së Botërorit pritet të ketë një të diel shumë të mirë. Hamilton, rivali i tij për titull, do të niset nga vendi i 8-të, edhe pse doli i treti në prova. Kjo, pasi anglezi u detyrua të ndërronte paketën e marsheve, diçka që nuk mund të bëhet brenda rregullores.
Kjo pritet ta dëmtojë jo pak tri herë kampionin e botës, edhe pse në pistën austriake nuk është shumë e vështirë të parakalohet. Në renditjen e përgjithshme, kur duhen edhe 12 gara deri në mbyllje të edicionit, Fetel kryeson me 153 pikë, 14 më shumë sesa Hamilton, ndërsa Botas është 42 pikë prapa vendit të parë.
Sfidanti.al