Vrapoi për 18 vjet, por ia arriti qëllimit. Bibiana Shtajnhauz do të hyjë në histori si gjyqtarja e parë femër në Bundesligë. Gjermania 38-vjeçare, pasi arbitroi në Bundesligën e vajzave, në Bundesligën e dytë të meshkujve, në Kupën e Gjermanisë, dhe pasi provoi të gjithë nivelet ndërkombëtare të femrave, do të hyjë në arenën e madhe.
Ish-futbollistja, dhe aktualisht oficere e policisë, Bibiana ka përvojë të madhe me futbollin e burrave. Ajo është përballur me trajnerë të mëdhenj si Pep Guardiola apo Jurgen Klop, dhe ka provuar të gjitha vështirësitë dhe streset e një sporti që është kthyer në një biznes shumë të rëndësishëm. Jo vetëm kaq, por ka ditur të kalojë me sukses dhe me humor edhe situatat më të vështira që mund të provojë një gjyqtare femër në mes të meshkujve.
Në vitin 2007, Shtajnhauz u bë e para vajzë që arbitroi në Bundesligën e dytë, duke qenë një pioniere e femrave në këtë kategori. FIFA dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e kanë nderuar siç e meriton profesionisten gjermane. Bibiana u zgjodh të drejtonte finalen e Kupës së Botës për femra të vitit 2011 mes Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, fituar nga aziatiket. Ishte po ajo që ndau drejtësinë në finalen e Lojrave Olimpike të vitit 2012 në Londër, po mes Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara, fituar nga amerikanet.
Shtajnhauz shprehet e lumtur që u përzgjodh në Bundesligë, duke theksuar se do të bëjë maksimumin për të mos mbetur pas burrave. Po ashtu, ajo shpreson të jetë një shembull për vajzat e tjera gjermane, në mënyrë që arbitrimi gjerman të jetë më pak mashkullor. Sot për sot, vetëm 3 000 nga 75 000 arbitrat në shtetin e madh europian janë femra.
Sfidanti.al